Përceptimi mbi vlerën e parasë

Pyper ka realizuar një sondazh për të hetuar përceptimin e njerëzve mbi vlerën e parasë dhe ndikimin e saj në shoqëri. Të dhënat tregojnë se për shumicën e respondentëve shëndeti (34.37%) dhe familja (63.07%) zënë vendin e parë si gjëja më e rëndësishme për ta. Ndërsa paraja zë vendin e dytë sipas 7.05% të respondentëve, vendin e tretë sipas 19.71%, vendin e katërt sipas 26.25% dhe vendin e pestë sipas 45.51%.

32.35% e respondentëve shprehen neutral kur janë pyetur sa pajtohen me pohimin se njeriu është më i lumtur sa më shumë para të posedoj. Po ashtu, përderisa disa respondent nuk pajtohen me këtë pohim, disa prej respondentëve pajtohen (16.96%) ose pajtohen plotësisht (14.1%).

Sipas të dhënave 37.23% ndihen neutral sa i përket vlerës që ka paraja në jetën e tyre. Mirëpo, vlen të përmendet se një numër i respodentëve pajtohen (29.78%) ose pajtohen plotësisht (13.07%) lidhur me pohimin se i vlerësojnë shumë paratë.

Shumica e respondentëve nuk pajtohen (33.66%) ose nuk pajtohen aspak (17.98%) se shuma e parave që i posedon një tregon se sa i aftë është. Vetem një përqindje e vogel pajtohen (15.32%) ose pajtohen plotësisht (7.2%) me këtë pohim, pra se shuma e parave që i posedon reflekton se sa i aftë është dikush.

Përderisa një përqindje e vogël nuk pajtohen se njerëzit që kanë para respektohen më shumë në shoqërinë tonë, një numër i konsiderueshëm i respondentëve pajtohen (36.31%) ose pajtohen plotësisht (38.8%) rreth asaj se njerëzit e pasur respektohen më shumë në shoqëri sesa të tjerët.

Të dhënat tregojnë se një numër i madh i respondentëve nuk pajtohen (32.53%) ose nuk pajtohen aspak (36.21%) se më shumë i vlerësojnë njerëzit prej pasurisë që kanë sesa prej veprave të tyre. Mirëpo, një numër i caktuar i respondentëve pajtohen (7.76%) ose pajtohen plotësisht (7.81%) se në fakt ata i vlerësojnë më shumë të tjerët prej pasurisë që posedojnë sesa prej veprave të tyre.

Në bazë të përvojës së tyre, më shumë se gjysma e respondentëve pajtohen (36.26%) ose pajtohen plotësisht (25.59%) se njerëzit mburren me faktin se sa para i posedojnë. Vetëm një përqindje e vogël nuk pajtohen (6.84%) ose nuk pajtohen aspak (3.83%) me këtë deklaratë.

Një gjë për të cilën një numër i madh i respondentëve pajtohen plotësisht (65.99%) është se njerëzit që fitojnë shumë para duhet t’i ndihmojnë familjet e varfëra/nevojtarët. Me këtë pohim pajtohen në një nivel më të ulët 18.85% e respondentëve. Vetëm një numër tejet i vogël i respondentëve nuk pajtohen me këtë pohim.

Po ashtu, vlen të theksohet se disa respondent pajtohen (3.64%) ose pajtohen plotësisht (19.56%) sa i përket deklaratës se njerëzit e pasur nuk mund t’i përkushtohen sa duhet familjes. Me këtë deklaratë nuk pajtohen (11.21%) ose nuk pajtohen aspak (5.16%) një numër më i vogël i respondentëve.