Njohja e gjuhëve e huaja

Duke marrë parasysh rëndësinë e njohjes së gjuhëve të huaja, Pyper ka realizuar një sondazh për të matur interesimin e qytetarëve rreth gjuhëve të huaja. Në sondazhin e realizuar kanë marrë pjesë rreth 2,000 respondentë nga të gjitha komunat e Kosovës prej të cilëve rreth 53.1% kanë qenë meshkuj dhe 46.9% femra.

Prej të gjithë të anketuarve, 3 në 4 respondentë (74.22%) kanë deklaruar se përveç gjuhës amtare njohin edhe një gjuhë tjetër. Ndërkaq 25.78% kanë thënë se nuk njohin ndonjë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare. Nga respondentët të cilët kanë deklaruar se njohin një gjuhë të dytë, shumica e tyre (92.45%) janë njohës të gjuhës angleze, ndërsa disa janë njohës të gjuhës gjermane (36.4%), të gjuhës turke (17.02%), gjuhës serbe (10.37%) apo gjuhës spanjolle (10.01%). Një përqindje më e vogël janë njohës të gjuhës frënge (8.55%), italiane (6.64%),  portugeze (2%), dhe suedeze (1.18%).

Po ashtu vlen të theksohet se shumica e të anketuarve (81.44%) kanë pohuar se kanë dëshirë të mësojnë edhe një gjuhë të re, ndërkaq 18.56% nuk kanë preferenca për të mësuar një gjuhë të re. Kur respondentët janë pyetur se cilën gjuhë tjetër preferojnë ta mësojnë përveç asaj që tashmë e njohin, pothuajse gjysma e tyre (45.12%) kanë deklaruar se dëshirojnë ta mësojnë gjuhën gjermane, ndërsa një numër më i vogël dëshirojnë ta mësojnë gjuhën angleze (19.7%), gjuhën frënge (15.98%). gjuhën italiane (5.63%), gjuhën spanjolle (4.72%), gjuhën turke (3.73%), gjuhën suedeze (1.49%) dhe gjuhën portugeze (0.66%).

Më shumë se gjysma e respondentëve (64.64%), kanë deklaruar se për të mësuar gjuhët e huaja kanë përdorur aplikacione mobile ndërkaq, 35.36% kanë deklaruar se nuk kanë përdorur aplikacione për të mësuar ndonjë gjuhë të huaj. Pothuajse gjysma e respondentëve (45.99%) e kanë përdorur aplikacionin Duolingo, ndërsa aplikacionet e tjera të përdorura janë HelloTalk (23.28%), Babel (7.82%) dhe Memrise (5.73%). Ndërkaq, 11.26% kanë përdorur aplikacione të tjera për të mësuar gjuhë të huaja.

Gjithashtu, perceptimet e respondentëve dallojnë sa i përket asaj se sa ka qenë i dobishëm përdorimi i aplikacionit për të mësuar një gjuhë të huaj. 35.62% e respondentëve kanë deklaruar se përdorimi i aplikacionit që kanë përdorur ka qenë shumë i dobishëm për të mësuar një gjuhë të huaj, ndërkaq vetëm një përqindje tejet e vogël (0.57%) kanë deklaruar se aplikacioni nuk ka qenë aspak i dobishëm për të mësuar gjuhë të huaja.