Planifikimi familjar

Duke marrë parasysh rëndësisë që po i kushtohet planifikimit të familjes në vitet e fundit, Pyper ka realizuar një sondazh për të analizuar perceptimet e respondentëve mbi rëndësinë e planifikimit familjar. Në sondazhin e realizuar kanë marrë pjesë rreth 2,000 respondent nga të gjitha komunat e Kosovës prej të cilëve 53.05% janë meshkuj dhe 46.95% janë femra. Po ashtu, për të pasur një pasqyrë sa më të qartë mbi rëndësinë e planifikimit familjar, pjesë e mostrës së Pyper kanë qenë persona të statuseve të ndryshme martesore prej të cilëve 28% janë të martuar, kurse pjesa tjetër janë të pamartuar (beqar, të ve, të divorcuar, duke bashkëjetuar dhe në lidhje).

Të dhënat tregojnë se planifikimi familjar tashmë është mjaft prezent në Kosovë. Kjo raportohet nga një numër i madh i respondentëve (81.63%) të cilët pohojnë se kanë diskutuar me partnerin/parteneren e tyre rreth planifikimit familjar. Mirëpo, për dallim nga ky numër i madh i respondentëve, pak më pak se 1/5 e respondentëve kanë deklaruar se asnjëherë nuk kanë biseduar me partnerin/partneren e tyre rreth kësaj çështje.

Po ashtu, kur flasim për perceptimet e beqarëve lidhur me planifikimin familjar, qëndrimet e tyre janë të ndryshme kundrejt preferencave për martesë. Kjo më së miri ilustrohet nga fakti se 85.95% dëshirojnë të martohen ndërkaq 14.05% nuk kanë shprehur dëshirën të martohen ndonjëherë. Mirëpo, përkundër këtyre preferencave, shumica e të anketuarve e konsiderojnë të pasurit fëmijë si një gjë të rëndësishme në jetën e tyre. Më shumë se gjysma e respondentëve (68.11%) kanë pohuar se fëmijët janë mjaft të rëndësishëm për një jetë të lumtur. Ndërkaq, vetëm një përqindje e vogël (5.54%) nuk e konsiderojnë aspak të rëndësishme të pasurit fëmijë, prej të cilëve 4.95% nuk dëshirojnë të kenë fëmijë.

Gjithashtu, vlen të theksohet se preferencat e kosovarëve mbi gjininë e fëmijëve nuk janë të njëjta. Sipas të dhënave të këtij sondazhi, vërehet se aktualisht në Kosovë eziston një dallim i vogël sa i përket preferencave mbi të pasurit vajza apo djem. Të pasurit vajza (69.32%) konsiderohet si më e rëndësishme se të pasurit djem (63.84%) nga shumica e respondentëve, ndërsa personat që nuk i kushtojnë aspak rëndësi gjinisë së foshnjës përbëjnë vetëm 6.08% të mostrës.

Numri i fëmijëve që respodentët dëshirojnë t’i kenë është më i ulët sesa në të kaluarën për shkak të faktorëve të ndryshëm. Të dhënat tregojnë se tashmë kryesisht mbizotëron preferenca për t’i pasur 2 (33.05%) apo 3 fëmijë (34.46%). Numri i personave që dëshirojnë të kenë më shumë se 3 fëmijë është dukshëm më i vogël. Vlen të theksohet se edhe numri i personave që dëshirojnë vetëm një fëmijë është i ulët (5.02%). Po ashtu, faktorët më të raportuar në këtë studim lidhur me mosdëshirën për të pasur shumë fëmijë kanë qenë gjendja jo e mirë ekonomike në Kosovë që e bën rritjen e fëmijëve të vështirë (15.87%) dhe rëndësia që respondentët ia kushtojnë karrierës (69.84%).

Sidoqoftë, përkundër këtyre faktorëve, planifikimi familjar prapë konsiderohet si element mjaft i rëndësishëm për të pasur një jetë të lumtur. Përderisa një pjesë e madhe (71.55%)e konsiderojnë planifikimin familjar si shumë të rëndësishëm për të pasur një jetë të lumtur (71.55%) apo një karrierë të suksesshme (68%), vetëm një përqindje e vogël nuk  konsiderojnë se planifikimi familjar ka ndonjë rëndësi për të pasur një jetë të lumtur (3.9%) apo karrierë të sukesshme (4.21%). Megjithatë, numri më i madh i të anketuarve konsiderojnë se të pasurit fëmijë është më e rëndësishme (32.46%) apo shumë më e rëndësishëm se karriera (26.4%). Ndërkaq personat që i japin më shumë rëndësi karrierës sesa të pasurit fëmijë, pra që e konsiderojnë karrierën më të rëndësishme (4.42%) apo shumë më të rëndësishme (8.99%) përbëjnë një përqindje më të vogël. Po ashtu, për më shumë se çerekun e mostrës (27.73%), karriera dhe të pasurit fëmijë janë të një rëndësie të njëjtë.