Të ushqyerit shëndetshëm

Të ushqyerit ka rol mjaft të rëndësishëm në shëndetin e secilit person. Adaj, Pyper ka realizuar një anketë me rreth 2,000 respondentë nga të gjitha komunat e Kosovës për të vlerësuar shprehitë e tyre të ushqimit.

Pjesa dërmuese kanë thënë se i kushtojnë mjaft rëndësi të ushqyerit shëndetshëm ndërsa rreth 74% e respondentëve kanë deklaruar se të ushqyerit shëndetshëm është shumë i rëndësishëm për shëndetin e tyre.  Vetëm një përqindje e vogël prej 4.1% kanë thënë se të ushqyerit shëndetshëm nuk është aspak i rëndësishëm.

Mirëpo, ndonëse një pjesë e madhe e respondentëve janë deklaruar se i kushtojnë shumë rëndësi të ushqyerit shëndetshëm, ata kanë pak njohuri për vlerat që ka ushqimi të cilin e konsumojnë, përkundër asaj që shpeshherë e lexojnë përmbajtjen e produktit.  Vetëm ¼ e respondentëve (27.24%), kanë njohuri për vlerat që ka ushqimi të cilin e konsumojnë. Ndërsa, 6.03% kanë pohuar se nuk kanë aspak njohuri mbi vlerat e ushqimit që e konsumojnë.

Po ashtu, frekuenca e konsumit të shujtave ditore dallon te respondentët. Më shumë se gjysma e respondentëve (55.46%) thonë se ushqehen dy herë brenda ditës. Mbi 16.04% ushqehen vetëm një herë në ditë, ndërkaq vetëm 22.48% ushqehen tre herë në ditë. Një përqindje prej 5.01% ushqehen më shumë se tre herë në ditë.

Gjithashtu, frekuenca e konsumit të frutave është e ndryshme. 1/3 e respondentëve konsumojnë fruta çdo ditë ose pothuajse çdo ditë. Përqindjet janë pothuajse të ngjashme edhe me pjesën e respondentëve të cilët konsumojnë fruta dy apo tre herë në javë (32.14%). 17.07% e respondentëve kanë deklaruar se konsumojnë fruta vetëm një herë në javë ndërsa 5.98% kanë deklaruar se konsumojnë fruta dy apo tre herë në muaj apo më rrallë. Vetëm 1.74%  e respondentëve kanë pohuar se nuk konsumojnë asnjëherë pemë.

Përveç konsumit të frutave, një ushqim tjetër i shëndetshëm që nuk konsumohet aq shpesh është edhe mishi i peshkut. Të dhënat tregojnë se 11% e respondentëve nuk konsumojnë peshk asnjëherë kurse diku 27% konsumojnë peshk shumë rrallë. Rreth 25 % kanë thënë se konsumojnë mish peshku dy ose tre herë në muaj. Numri i respodentëve që kanë thënë se konsumojnë peshk çdo ditë ose pothuajse çdo ditë është vetëm 4.19 për qind, ndërsa 9.15% konsumojnë dy ose tre herë në javë dhe 25.19% e konsumojnë një herë në javë mishin e peshkut.

Llojllojshmëri përgjigjesh janë vërejtur edhe tek konsumi i brumërave. 10% e respondentëve kanë deklaruar se brumërat janë ushqim i përditshëm. Mirëpo, pjesa e mbetur e respondentëve konsumojnë brumër jo aq shpesh, pra 2 deri 3 herë në javë (31.34%), një herë në javë (34.29%) apo më rrallë (8.48%). Një përqindje e vogël prej 1.89% nuk konsumojnë asnjëherë brumëra.

Po ashtu, edhe ushqimet e shpejta (fast food) konsumohen shpesh. Rreth 20% e të anketuarve konsumojnë çdo ditë fast food Ndërsa respondentët tjerë konsumojnë ushqime të shpejta dy deri në tre herë brenda javës (28%), një herë në javë (22%), dy ose tre herë në muaj (13.75%) ose më rrallë (13.75%). Vetëm 2.55% kanë deklaruar se nuk konsumojnë ushqime të shpejta asnjëherë.

Përveç ushqimeve të shpejta edhe ëmbëlsirat konsumohen mjaft shpesh. 37.61% kanë deklaruar se konsumojnë ëmbëlsira çdo ditë. 27.95% kanë thënë se konsumojnë ëmbëlsira dy deri në tri herë brenda javës dhe 16.56% e respondentëve konsumojnë ëmbëlsira një herë në javë. Numri i të anketuarve që konsumojnë ëmbëlsira dy ose tre herë në muaj (8.28%) apo më rrallë (7.41%) është dukshëm më i vogël. Personat që asnjëherë nuk konsumojnë ëmbëlsira përbëjnë 2.2% të mostrës.

Përveq ushqimeve të përmendura më lart, edhe frekuenca e konsumit të pijeve të gazuara  është mjaft e lartë. 36% e respondentëve kanë pohuar se konsumojnë çdo dite pije të gazuara ndërsa 22 % kanë pohuar se konsumojnë pije të gazuar dy apo tre herë brenda javës. Përqindjet vijnë duke rënë sa i përket konsumit të pijeve të gazuara diku një herë në javë (15.48%), dy ose tre herë në muaj 7% apo më rrallë (11.96%). Vetëm 7.56% e të anketuarve nuk konsumojnë asnjëherë pije të gazuara.