Këshillat

Duke pasur parasysh rëndësinë e shkëmbimit të këshillave, Pyper ka realizuar një sondazh për të matur ndikimin e këshillave në mireqenien emocionale. Në sondazhin e realizuar kanë marrë pjesë 1848 mijë respondentë nga të gjitha komunat e Kosovës prej të cilëve 56.11% janë meshkuj dhe 43.89% femra. 

Sa i përket shpeshtësisë së dhënies së këshillave, 34.45% e respondentëve kanë deklaruar se ju ofrojnë këshilla të tjerëve çdo ditë ose pothuajse çdo ditë. Pjesa më e madhe e respondentëve kanë deklaruar se në shumicën e rasteve këshilla shkëmbejnë ndërmjet anëtarëve të familjes, shokëve/shoqeve, kolegëve të punës. Përqindjet janë dukshëm më të vogla për ata që ofrojnë këshilla për klientët, punëtorët apo pacientët.

Në shumicën e rasteve, këto këshilla kanë të bëjnë me problemet e jetës shoqërore (19.8%), mirëpo po ashtu kanë të bëjnë edhe me fusha të tjera siç janë: zhvillimi profesional (17.05%), zhvillimi personal (13.73%), studime (12.98%), orientimi në karrierë (11.98%), planifikimi familjar (10.82%) etj. Sidoqoftë, përderisa shumica e të anketuarëve shprehën se japin këshilla, 16.49% kanë deklaruar se asnjëherë nuk ofrojnë këshilla. Arsyet kryesore që kanë të bëjnë me mosdhënien e këshillave janë shmangia e marrjes së përgjegjësisë për vendimet e të tjerëve (69.2%), si dhe moszbatimi i këshillave nga marrësi i këshillës (30.8%).

Gjithashtu, ndonëse studimet (Eskreis-Winkler, Fishbach & Duckworth, 2018) tregojnë se njerëzit që japin këshilla kanë tendencë të përfitojnë më tepër nga ajo këshillë sesa njerëzit që këshillojnë, të dhënat e sondazhit tregojnë se vetëdijësimi mbi këtë është i vogël. Mirëpo, përkundër kësaj respondentët nuk e mohojnë rëndësinë e të dhënit këshilla dhe po ashtu raportojnë se të dhënit këshilla ndikon pozitivisht në mireqenien e tyre emocionale si rezultat i përjetimit të ndjenjës së kënaqësisë, vetbesimit, krenarisë, dhe në një masë më të vogël ndjenjës së superioritetit dhe fuqisë. 

Përveç dhënies së këshillave, po aq e rëndësishme është edhe marrja e tyre. Korrelacioni është thuajse i ngjashëm mes atyre që marrin çdo ditë ose pothuajse çdo ditë këshilla (17.62%) dhe atyre që nuk marrin asnjëherë (14.28%). Shumica e këshillave që respodentët marrin nga të tjerët kryesisht kanë të bëjnë me zhvillimin profesional (20.28%) dhe problemet e jetës shoqërore (18.49%), duke lënë pas këshillat që ndërlidhen me karrierë, studime, planifikim familjar dhe menaxhim të biznesit.

Eskreis-Winkler, L., Fishbach, A. & Duckworth, A. L. (2018). Dear Abby: Should I Give Advice or Receive It? Psychological Science, 29(11), 1797-1806. doi: 10.1177/0956797618795472