Opinioni publik: Kush është përgjegjës për mosmarrëveshjen LVV-LDK?

Janë bërë më shumë se dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, porse dy partitë që morën më së shumti vota, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ende nuk kanë arritur marrëveshje për krijimin e qeverisë. Për të matur perceptimin e qytetarëve sa i përket zvarritjes së marrëveshjes mes LVV-së dhe LDK-së, Pyper ka realizuar një sondazh në të cilin kanë marrë pjesë rreth 1 mijë persona anembanë Kosovës.

 

Është e rëndësishme të theksohet se, sipas të dhënave, numri më i madh i pjesëmarrësve besojnë se marrëveshja midis LDK-së dhe LVV-së, ndonëse e vonuar, do të ndodhë. Pra, 80.65% e respondentëve janë optimist rreth arritjes së kësaj marrëveshje. Sidoqoftë, përgjegjës kryesor për mosarritjen e marrëveshjes deri tani konsiderohet LDK-ja (45.38%), duke u pasuar më pas nga LVV-ja (14.97%). Rreth ⅕ e pjesëmarrësve konsiderojnë që të dy partitë janë përgjegjëse për gjendjen e tanishme politike, pra për mosarritjen e një marrëveshje që është me rëndësi të madhe për vendin.

 

E gjithë kjo mosmarrëveshje siç shihet rezulton nga mospajtueshmëria e LVV-së dhe LDK-së për poste. Mirëpo, përkundër pavendosmërisë së këtyre partive, qytetarët janë më se të vendosur rreth ndarjes së pozitave, më saktësisht rreth postit të kryeparlamentarit dhe presidentit duke përfshirë po ashtu edhe udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 

Së pari, vlen të theksohet se 38.51% e pjesëmarrësve kanë deklaruar se është e drejtë e LVV-së për ta kërkuar pozitën e presidentit dhe kandidati më potencial nga radhët e LVV-së për këtë pozitë është cilësuar Glauk Konjufca (34.74%). Ndërkaq, se kjo e drejtë i takon LDK-së janë pajtuar 14.97% e pjesëmarrësve ku edhe kandidatja potenciale për presidente është cilësuar Vjosa Osmani (39.06%) duke u pasuar më pas nga Isa Mustafa (12.5%).

 

Gjithashtu, përkundër faktit se 17.16% e pjesëmarrësve preferojnë mënyrën aktuale të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, vlen të theksohet se një numër i madh (81.32%) konsiderojnë se mënyra më e mirë për zgjedhjen e presidentit të vendit është përmes votës së popullit ashtu siç edhe është zgjedhur kryeministri i ardhshëm.

 

Së dyti, sa i përket pozitës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, preferencat janë të luhatshme. Më shumë pjesëmarrës konsiderojnë se pozita e kryeparlamentarit duhet t’i takojë LDK-së (42.8%) sesa LVV-së (29.46%). Mirëpo, kur flitet për Ministrinë e Punëve të Brendshme, shihet një preferencë më e madhe që kjo ministri t’i takojë LVV-së (53.1%) sesa LDK-së (16.4%).

 

Sidoqoftë, Kosova aktualisht ka stagnuar duke mos pasur një qeveri funksionale dhe nëse marrëveshja LVV-LDK nuk arrihet, LVV-ja duhet ose të heq dorë nga krijimi i qeverisë, ku me këtë alternativë pajtohen 49.62% e pjesëmarrësve ose të krijoj koalicion me tjetër parti, sipas 50.38% të pjesëmarrësve.  Në rast se ndodh kjo e fundit, qytetarët preferojnë një koalicionin midis LVV-së dhe koalicionit AAK-PSD (39.67%), LVV-së dhe PDK-së (33.95%), LVV-së dhe koalicionit NISMA-AKR-PD (33.95%), LVV-së dhe Listës Serbe (5.90%) apo edhe me ndonjë parti të pakicave.