36.9% e familjeve të të anketuarve të varur nga ndihma financiare e mërgatës

Pandemia ua pamundësoi shumë mërgimtarëve që t’i vizitojnë familjarët e tyre vitin e kaluar e kjo ka bërë që këtë verë të ketë një numër shumë më të madh të qytetarëve nga diaspora që e vizitojnë Kosovën. Këtë e tregon edhe sondazhi i fundit nga Pyper ku 88.6% e të anketuarve mendojnë se këtë verë ka një fluks më të madh të mërgimtarëve në Kosovë krahasuar me vitet e kaluara. Për shumicën e të anketuarve (92%) ky fluks i madh nënkupton se mërgimtarët janë duke kontribuar dhe do të kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit.

Përveç këtij kontributi aktual, diaspora po ashtu i ndihmon familjarët e tyre në Kosovë me ndihma financiare edhe gjatë periudhave tjera. Më saktësisht, më shumë se gjysma e të anketuarve (53.0%) kanë pohuar se pranojnë ndihma financiare nga të afërmit e tyre në diasporë. E në po këtë grup të njerëzve 36.9% kanë pohuar se familja e tyre është e varur nga këto ndihma financiare kurse 63.1% kanë pohuar se nuk janë të varur.

Me tërë këtë ndihmë që ka ofruar mërgata për ekonominë e vendit, duhet po ashtu t’i kushtohet fokus të veçantë mërgatës sa u përket proceseve politike. Siç tregojnë të dhënat, pothuajse gjysma e të anketuarve (47.6%) mendojnë se qeveria është duke bërë mjaftueshëm në përfshirjen e mërgatës në proceset politike, 34.4% mendojnë se nuk është duke bërë mjaftueshëm e 17.9% nuk kanë përgjigje rreth kësaj çështje.

Pos kësaj 62.8% e qytetarëve të anketuar mendojnë se diaspora duhet të përfaqësohet në Kuvend përmes ulëseve të rezervuara ndërsa 37.2% nuk pajtohen me këtë duke mos e konsideruar si diçka të rëndësishme.

Sondazhi në fjalë është realizuar me mostër jo të rastësishme në të cilin kanë marrë pjesë 1197 persona anembanë Kosovës.