60.1% e të anketuarve e konsiderojnë obligim qytetar blerjen e prodhimeve vendore

Përkundër konkurrencës së lartë në treg mes produkteve vendore dhe produkteve të huaja, mbizotëron perceptimi se produktet vendore janë më të mira. Këtë e tregon edhe sondazhi i fundit i realizuar nga kompania e hulumtimeve Pyper.

Sa i përket sigurisë së produkteve, më shumë se gjysma e të anketuarve (63.5%) i konsiderojnë produktet vendore më të sigurta për t’i konsumuar sesa produktet e huaja. E prej të gjithë të anketuarve, rreth 6 në 10 persona më shumë pëlqejnë produktet vendore sesa produktet e importuara.

Për më tepër, pothuajse gjysma e të anketuarve (48.4%) kanë pohuar se konsumi i produkteve vendore është rritur gjatë 12 muajve të fundit. E për dallim prej këtij grupi, 44.7% kanë treguar se për ta nuk ka pasur ndonjë dallim në blerjen e produkteve gjatë këtij 12 muajshi të fundit ndërsa për 8.7% blerja e produkteve vendore është zvogëluar.

Po ashtu, prej të gjithë të anketuarve, rreth 6 në 10 persona e konsiderojnë si obligim qytetar blerjen e prodhimeve vendore. Mirëpo një përqindje e madhe e të anketuarve (68.04%) konsiderojnë se nuk ka rëndësi vendi i prodhimit dhe se konsumatorët duhet të zgjedhin cilindo produkt që dëshirojnë pavarësisht se a është vendor apo i huaj.

Sondazhi në fjalë është realizuar me mostër jo të rastësishme në të cilin kanë marrë pjesë 1200 persona anembanë Kosovës.