66.8% e qytetarëve të anketuar dëshirojnë që Qeveria të ju ndihmoj përmes pakove financiare

Kohëve të fundit, çmimet e produkteve të ndryshme janë rritur në Kosovë. Shumë prej qytetarëve kanë nxituar për të blerë produktet esenciale në sasi të mëdha nga frika se çmimet mund të ngriten edhe më shumë. Sidoqoftë, ky veprim është kritikuar nga shumë qytetarë të tjerë. Këtë e dëshmon dhe hulumtimi i fundit i kryer nga kompania e hulumtimeve Pyper.

Shumica e të anketuarve (84.5%) e vlerësojnë si veprim jo të duhur numrin e madh të blerjeve që po ndodhin për produktet esenciale, kurse 15.5% e vlerësojnë si të duhur këtë veprim.

Të pyetur se sa gjatë mund ta përballojnë familjet e qytetarëve të anketuar këtë ngritje të çmimeve, ata u përgjigjën si në vijim:

  • Deri në 1 javë: 14.51%
  • Deri në 2 javë: 14.41%
  • Deri në 1 muaj: 26.95%
  • Më shumë se 1 muaj: 27.34%
  • Nuk ka ndonjë ndikim në mirëqenien e familjes sime: 16.78%

Ngritja e çmimeve ka bërë që edhe shumë qytetarë të gjejnë alternativa tjera të produkteve. Më saktësisht rreth 60% e të anketuarve kanë pohuar se do t’i zëvendësojnë produktet esenciale me ndonjë produkt tjetër (p.sh vajin me margarinë, miellin e grurit me miellin e misrit etj.).

Po ashtu, në vazhdën e rritjes së çmimeve që ka kapluar Kosovën, shumë qytetarë e shohin të nevojshme një ndihmë nga Qeveria e Kosovës. Të pyetur se si do të donin që Qeveria të ju ndihmonte, 66.8% e qytetarëve u përgjigjën se do të donin të ndihmoheshin përmes një pako financiare, kurse 33.2% u përgjigjën se do të preferonin më shumë të ndihmoheshin përmes kuponave të ushqimit (Vaj, miell, sheqer, qumësht, etj.)