67.1% e qytetarëve mendojnë se kampanja #KosovoInNATO dhe #KosovoInEU mund të ndikojë në anëtarësimin e Kosovës në NATO

Pas zhvillimit të fundit mes Rusisë dhe Ukrainës, Ministri Armend Mehaj ju ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës kudo që janë që të vendosin në profilet e tyre të rrjeteve sociale: #KosovoInNATO dhe #KosovoInEU. Kjo kampanjë në rrjete sociale ka pasur një sukses të madh pasi një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë vendosur këtë hashtag në profilet e tyre.

Një shumicë dërrmuese e qytetarëve të anketuar (80.7%) kanë dëgjuar për këtë kampanjë. Ndërsa të pyetur se a mendojnë se kjo kampanjë do të mund të ketë ndikim që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s, 67.1% u përgjigjën se mund të ketë ndikim, kurse 32.9% mendojnë se nuk do të mund të ndikojë.

Gjithashtu të pyetur se a mund të ndikojë kjo kampanjë që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, 63.7% u përgjigjën se mund të ndikojë, kurse (36.3%) u përgjigjën se nuk mund të ndikojë. Dëshira e kosovarëve për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian është e madhe, shumë qytetarë (98.5%) e shohin si diçka që duhet bërë sa më shpejtë, dhe sa i përket anëtarësimit në BE 97.8% u përgjigjën se Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Të pyetur se a është duke bërë mjaftueshëm Qeveria e Kosovës sa i përket avokimit për anëtarësim në NATO, 59.2% e të anketuarve u përgjigjën me po, kurse 40.8% u përgjigjën se Qeveria nuk është duke bërë mjaftueshëm.