71% e qytetarëve të anketuar mendojnë se çmimet e shërbimeve mjekësore në Institucionet e Sistemit Shëndetësor Privat janë të larta

Qytetarët të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore në institucione publike apo private vazhdojnë të përballen me vështirësi nga më të ndryshmet. Dy nga vështirësitë më të mëdha janë çmimet e larta për shërbime mjekësore dhe cilësia e këtyre shërbimeve. Këtë e tregon dhe sondazhi i fundit i realizuar nga Pyper.

Vetëm 6.96% e qytetarëve të anketuar mendojnë se cilësia (shërbimi, diagnostifikimi, shërimi etj.) është në nivel të lartë në Sistemin Shëndetësor Publik në Kosovë. 61.6% u përgjigjën duke thënë se cilësia është mesatare, ndërsa 31.4% e qytetarëve mendojnë se cilësia është e ulët në këto institucione publike.

Sa i përket çmimeve në Sistemin Shëndetësor Publik, qytetarët po i konsiderojnë si: të shtrenjta (25.6%), mesatare (46.6%), të lira (16.5%) dhe 11.09% qytetarëve nuk kanë pasur ndonjë përgjigje.

Ndërsa të pyetur se çfarë mendojnë për cilësinë e shërbimeve në Sistemin Shëndetësor Privat, 33.1% e qytetarëve të anketuar u përgjigjën se cilësia është e lartë, 56.4% u përgjigjën duke thënë se cilësia është mesatare, ndërsa 10.6% e konsiderojnë si të ulët cilësinë e shërbimeve në Institucionet Private Shëndetësore.

Një shumicë dërrmuese e qytetarëve të anketuar (71%)  mendojnë se çmimet e shërbimeve mjekësore në Institucionet e Sistemit Shëndetësor Privat janë të larta, 19.5% e qytetarëve i konsiderojnë si të mesme, 2.2% mendojnë se çmimet janë të ulëta në këtë sektor dhe 7.2% e qytetarëve janë përgjigjur se nuk i dinë çmimet e këtij sektori shëndetësor.

Sondazhi në fjalë është realizuar përmes një mostre jo të rastësishme në të cilin kanë marrë pjesë rreth 1200 persona anembanë Kosovës.