74.5% e të anketuarve mendojnë se mësimi në shkolla fillore dhe të mesme duhet të fillojë në shtator

Përkundër situatës me pandeminë, rreth ¾ e të anketuarve nga kompania e hulumtimeve Pyper besojnë se viti shkollor 2021/2022 duhet të filloj në shtator. Prej të gjithë të anketuarve, pjesa më e madhe mendon se mësimi duhet të mbahet në mënyrë tradicionale (në shkolla).

Sa i përket kësaj mënyre, 30.75% mendojnë se mësimi duhet të mbahet në shkolla por me numër të limituar të nxënësve për klasë. Ndërkaq, 28.23% mendojnë se duhet të mbahet me numër të plotë të nxënësve. Përveç këtyre formave të mbajtjes së procesit mësimor, një numër më i vogël mendojnë se mësimi duhet të mbahet përmes platformave për komunikim online (siç është Zoom etj.), në mënyrë të kombinuar (mësim në distancë dhe në shkollë) dhe online përmes transmetimit në TV, YouTube.

Veç kësaj, bazuar në të dhënat e fundit se edhe fëmijët janë duke u infektuar me COVID-19, më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë se duhet të vaksinohen nxënësit nën moshën 18 vjeç. Më saktësisht, 28.76% kanë bindjen se nxënësit e moshës 12 vjeç e tutje duhet të vaksinohen kundër COVID-19. Gjithashtu edhe Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandon vaksinimin e fëmijëve që nga mosha 12 vjeç e lart me vaksinën Pfizer-BioNTech.