80.27% e qytetarëve të anketuar mendojnë se duhet të organizohen më shumë dëgjime publike në komunat e tyre

Dëgjimet publike janë një ndër format ku qytetarëve ju mundësohet të marrin pjesë dhe të informohen më shumë rreth çështjeve të ndryshme duke ndihmuar kështu në krijimin e opinionit publik mbi një masë që duhet ndërmarrë apo çështje të caktuar. Interesimi i qytetarëve për dëgjime publike është tejet i madh, këtë e tregon edhe sondazhi i fundit i kryer nga Pyper me një mostër jo të rastësishme.

Një shumicë dërrmuese e qytetarëve (80.27%) mendojnë se duhet të organizohen më shumë dëgjime publike në komunat e tyre dhe gjithashtu 78.19% i shohin si shumë të nevojshme.

Të pyetur se në cilat nga këto lloje të dëgjimeve publike do të donin të merrnin pjesë qytetarët u shprehën si në vijim:

  • Për shqyrtim të një akti, problemi, ose ndonjë aktiviteti të propozuar (58.57%)
  • Për projektligje dhe propozime për ligje të reja (55.69%)
  • Në takime me natyrë hetimore, kur ka dyshime se është kryer shkelje nga një zyrtar publik (41.55%)

E për dallim prej këtyre, 8.26% e qytetarëve të anketuar u përgjigjën duke thënë se nuk janë të interesuar të marrin pjesë në asnjërin lloj të dëgjimeve publike.

Një ndër arsyet se pse qytetarët hezitojnë të marrin pjesë është sepse mendojnë se mendimet e tyre nuk do të merren parasysh (59.31%) ndërsa 40.69% e qytetarëve nuk pajtohen me këtë duke u shprehur se mendimet e tyre merren parasysh në dëgjime publike.