Higjiena dhe çmimet një nga ankesat kryesore për supermarkete

Duke pasur parasysh pakënaqshmërinë e qytetarëve me supermarketet që operojnë në Kosovë, kompania e hulumtimeve Pyper së fundmi ka realizuar një hulumtim me 1125 frekuentues të supermarketeve muajin e kaluar përmes një mostre jo të rastësishme.

Një ndër pyetjet e hulumtimit ka qenë Cila është ankesa juaj KRYESORE sa i përket supermarketeve në Kosovë? në të cilën të anketuarit kanë pasur mundësinë të shkruajnë çfarëdo ankese që kanë pasur. Rreth 66% e të anketuarve kanë shprehur ankesa të ndryshme lidhur me supermarketet. Edhe pse numri i ankesave ishte i llojllojshëm, 3 ankesat më të mëdha ishin:

  • Higjiena jo e duhur (32.31%)
  • Mospërputhshmëria e çmimit në raft-arkë (20.91%)
  • Çmimet e larta (14.75%)

Përpos këtyre 3 ankesave kryesore vlen të ceket se ka pasur edhe ankesa të tjera në shkallë më të ulët siç janë qasja jo e mirë ndaj konsumatorëve, shitja e produkteve me afat të skaduar, vonesat te arka etj.

Hulumtimi i ankesave që i kanë klientët janë mënyra më e mirë për adresimin e tyre si mënyrë për të rritur kënaqshmërinë e klientëve me një biznes.