Pse qytetarët e Kosovës hezitojnë të vaksinohen?

Më shumë se gjysma e të anketuarve (58.0%) konsiderojnë se vaksinimi duhet të jetë obligativ për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo e dhënë është marrë nga hulumtimi i fundit lidhur me vaksinimin e qytetarëve i realizuar nga kompania e hulumtimeve Pyper në bashkëpunim me Institutin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Prej të gjithë të anketuarve, 35.6% e tyre kanë pohuar se kanë qenë të infektuar me COVID-19 kurse 64.4% kanë thënë se nuk kanë qenë asnjëherë të infektuar. Të pyetur se a janë vaksinuar kundër virusit, më shumë se gjysma (54.8%) kanë raportuar se as nuk janë vaksinuar dhe as nuk kanë caktuar ndonjë termin për vaksinim. Në këtë grup kryesisht del se bëjnë pjesë personat që nuk kanë qenë të infektuar me COVID-19.

Sa i përket personave që nuk janë vaksinuar dhe nuk kanë caktuar termin për vaksinim, 39.4% kanë pohuar se planifikojnë të vaksinohen. Për dallim prej këtyre, një pjesë e madhe e të anketuarve nuk planifikojnë të vaksinohen (22.7%) apo janë ende të pavendosur si të veprojnë (37.9%). Arsyet kryesore pse ky grup i personave nuk dëshirojnë apo hezitojnë të vaksinohen janë frika se vaksinat mund të kenë efekte anësore afatgjate/reaksione alergjike (40.2%), preferenca për të mos marrë asnjë vaksinë në përgjithësi (18.5%), mosbesueshmëria në efektivitetin e vaksinave anti-COVID (18.0%) dhe perceptimi se nuk kanë nevojë për vaksinim pasi kanë imunitet të fortë (14.7%).

Sa i përket personave që do ta marrin vaksinën, preferencat për ta marrë vaksinën Pfizer (63.8%) del të jenë shumë të larta sesa për vaksinën AstraZeneca (9.1%). Të pyetur se si do të vepronin nëse nuk do të mund ta merrnin vaksinën që preferojnë, rreth gjysma e tyre (47.2%) pohuan se do ta merrnin ndonjë vaksinë tjetër anti-COVID. Po ashtu vlen të ceket se personat që preferojnë vaksinën Pfizer ishin më të gatshëm të mos e marrin ndonjë vaksinë tjetër anti-COVID sesa personat që preferojnë vaksinën AstraZeneca.

Po ashtu, të dhënat tregojnë se sikur familjarët t’i udhëzojnë të mos e marrin vaksinën anti-COVID, 64.0% janë shprehur se prapë se prapë do ta merrnin vaksinën. E për dallim prej këtyre, disa kanë pohuar se nuk do ta merrnin vaksinën (10.2%) apo se nuk e dinë si do të vepronin (25.8%).

Sondazhi në fjalë është realizuar përmes një mostre jo të rastësishme në të cilin kanë marrë pjesë 1193 persona anembanë Kosovës.