Rreth 92% e të anketuarve janë të interesuar të instalojnë panele solare në shtëpinë/apartamentin e tyre

Energjia solare si burim alternativ për krijimin e energjisë elektrike është duke u bërë çdo ditë e më shumë një prej burimeve të cilin shumë qytetarë po e konsiderojnë për ta përdorur. Këtë e tregon edhe sondazhi i fundit i realizuar nga Pyper.

Ndërgjegjësimi rreth energjisë solare del të jetë e lartë, më saktësisht 95.2% e të anketuarve  kanë dëgjuar për energjinë solare. Mirëpo, edhe pse qytetarët kanë dëgjuar për energjinë solare vetëm 19.7% e të anketuarve janë shprehur se kanë shumë njohuri për energjinë solare, e një shumicë dërrmuese u shprehën se kanë pak njohuri për atë (73.5%) dhe 7.2% u shprehën se nuk kanë aspak njohuri për atë.

Përveç kësaj 89.1% e të anketuarve pajtohen se energjia solare ul kostot afatgjata të energjisë elektrike dhe ndihmon në kursimin e parave. 70.7% e qytetarëve po ashtu pajtohen se energjia solare nuk ka asnjë ndikim negativ në ambient.

Pos kësaj, 86.4% e qytetarëve janë pro vendosjes së paneleve fotovoltaike në hapësira të mëdha për krijimin e energjisë solare. Për më shumë, 91.8% e qytetarëve janë të interesuar të instalojnë panele solare në shtëpinë/apartamentin e tyre  për t’u furnizuar me energji solare. ndërsa 8.2% u përgjigjën se nuk janë të interesuar që të instalojnë këto pajisje në shtëpitë e tyre.