Sondazhi nga PYPER: 76% e të anketuarve të bezdisur nga vendi i punës gjatë pushimeve verore

Temperaturat po rriten dhe numri i qytetarëve që po shkojnë për pushime verore nuk ka të ndalur. E prej të gjitha vendeve për t’i kaluar pushimet, vendet bregdetare kryesojnë si vendi më i preferuar. Kjo e dhënë ka dalë në hulumtimin e fundit të realizuar nga Pyper.

Për më shumë, prej të gjitha vendeve ku qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë, më shumë se gjysma e të anketuarve (58%) preferojnë më së shumti ta vizitojnë Shqipërinë. E përveç dallimeve në vendin e preferuar për t’i kaluar pushimet, dallime në mendime ka pasur edhe në kohën e mjaftueshme për t’i kaluar pushimet. Pjesa më e madhe e të anketuarve e konsiderojnë si kohë të mjaftueshme për të pushuar në pushime verore periudhën prej afro 1 javë (36%) ose 2 javë (32%).

Përkundër pushimeve verore si një ikje nga puna, të dhënat kanë treguar se në 3 vitet e fundit, 30% e të anketuarve janë kontaktuar nga vendi i punës për një arsye ose tjetër. E më bezdisëse është fakti se prej këtij grupi, 76% e tyre kanë pranuar se ju ka ndodhur të ndihen të bezdisur si rezultat i thirrjeve apo mesazheve që i kanë pranuar nga vendi i punës.

Sondazhi në fjalë është realizuar përmes një mostre jo të rastësishme në të cilin kanë marrë pjesë 1,198 persona anembanë Kosovës.