Vetëm 5.73% e burrave dhe 15.43% e grave kanë kryer mamografinë për kancerin e gjirit

Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Në këtë muaj zhvillohet një fushatë që ka për qëllim të rris vetëdijen në lidhje me kancerin e gjirit. Kohëve të fundit është rritur edhe më shumë vetëdijësimi për faktin se kanceri i gjirit përveç grave i prek edhe burrat. Këtë e tregon edhe sondazhi i fundit i realizuar nga Pyper.

Të pyetur se a mund të shfaqet apo nuk mund të shfaqet kanceri i gjirit tek burrat, më shumë se gjysma e burrave të anketuar (63.64%) kanë qenë të vetëdijshëm se kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe te burrat dhe jo vetëm te gratë.

Përveç kësaj, një numër i madh i të anketuarve burra dhe gra kanë dëgjuar për mamografinë. Sidoqoftë është vërejtur një numër i vogël i grave dhe burrave që kanë bërë mamografinë për diagnostifikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Nga të anketuarit, vetëm 15.43% e grave janë përgjigjur se kanë bërë mamografi , ndërsa kur jemi tek burrat vetëm  5.73% e tyre e kanë bërë atë.

Ndër arsyet e shprehura pse të anketurit/at nuk kanë kryer mamografinë janë pritjet e gjata për termin dhe pagesa e lartë.

Të anketuarit u përgjigjën se nëse termini për të bërë mamografi në spital do të mund të bëhej brenda pak ditësh, 62.99% e burrave dhe 82.54% e grave do të bënin mamografinë. Po ashtu nëse kontrolla mjekësore për kancer të gjirit do të ishte falas, kjo do të ndikonte që 78.63% e  burrave dhe 82.54% e grave të anketuara të bënin kontrolla për kancerin e gjirit.

Sondazhi në fjalë është realizuar përmes një mostre jo të rastësishme në të cilin kanë marrë pjesë rreth 1200 persona anembanë Kosovës.